Sinani: Mekanizmat e kontrollit mediatik kanë zhvendosur “linjat e kuqe

Ismail Sinani – Drejtor informacioni në TV SHENJA
Zhvillimi i hovshëm teknologjik dhe pamundësia që vdekatarët e rëndomtë ta parashohin kahen e lëvizjes së saj, ka bërë një zhvendosje të madhe në kufijtë e lirisë së medias. Nëse deri para 30 vitesh mendohej se gazetarët jetojnë në dy botë, në ata që janë nën sundimin e “perdes së kuqe” dhe ata që “janë të lirë”, viteve të fundit, çdo ditë e më shumë po vërehet se edhe ata “të lirët”, në fakt nuk janë të lirë. Mekanizmat e vendosur të kontrollit me bazë të fuqishme financiare, e kanë lëvizur perceptimin e drejtuesve të mediave, por edhe të gazetarëve në përgjithësi, se cilat janë “vijat e kuqe” që nuk duhet të preken duke krijuar kështu një ndjesi të fuqishme të autocensurës, por që nëse analizohet më thellë, ndjehet se është e diktuar nga qarqe të caktuara. Madje ndoshta tingëllon rreptë, por mund të thuhet se aktualisht në këtë laramani mediatike, kemi një farë soft polidiktature, por të padukshme dhe vështirë të argumentueshme. Dhe duke qenë e tillë – pra e padukshme, askush nuk mund të akuzojë dikë se vërtetë fjala e lirë e ka humbur kuptimin.