Gazetaria qytetare për mua është më tepër se një hobi. Është pasion që më ka kapluar veç më disa muaj! Për këtë koncept qytetar të gazetarisë kuptova derisa kërkoja ndonjë mënyrë të shkruaj dhe opinioni ta kuptojë të vërtetën për disa çështje të cilat më mundonin dhe ende më mundojnë, në lidhje me mosfunksionimin e institucioneve dhe pamundësinë e njerëzve për realizimin e plotë të të drejtave të tyre në vendin tonë.
Atëherë kuptova për CIVIL – Qendrën për Liri..
Së pari, u paraqita dhe mora pjesë në seminarin për gazetari qytetare, në të cilin dëgjova shumë gjëra për të cilat deri atëherë nuk dija gjë, mësova se me telefonin tim të mençur (smartfonin) mundem të fotografoj dhe të regjistroj ngjarje që ndodhin në përditshmërinë tonë. Dhe si më e rëndësishmja, mësova se si të përpiloj tekst për çështjet që i prekin qytetarët, dhe në atë mënyrë të informohen për ngjarjet.
Për shkak të gazetarisë qytetare, fillova të interesohem edhe për aktivitetet tjera të Civilit. U kyça në ekipin gjatë “Karvanit të Lirisë”, u njoftova me ekipin, udhëtonim nëpër vendin, vizituam mbi 40 vendbanime, u shoqëruam me artistë, intelektualë, aktivistë, muzicientë të shquar, së bashku me qytetaret dhe qytetarët, nëpër tërë Maqedoninë.
Shumë miq të mi shpesh më pyesin se çfarë do të thotë të jesh gazetar qytetar, dhe pse unë jam gazetar qytetar, pasi që te ne ka aq shumë media?
U bëra gazetar qytetar sepse dëshiroj të ndihmoj që të kuptohet e vërteta për të gjitha ngjarjet që ndodhin në shtetin tonë. Po, është saktë që ka shumë media te ne. Mirëpo, sa nga ato medie sot e tregojnë të vërtetën? E dimë, shohim, dëgjojmë dhe lexojmë, se një numër i madh i mediave janë të varura nga biznesmenë të caktuar, si dhe nga parti, e në veçanti nga ata që (ishin) janë në pushtet ose janë të afërt me ata. Jemi dëshmitarë se si media të caktuara e fshehin të vërtetën nga opinioni, nga të gjithë ne. I fshehin punët e këqija të pushtetit, të ministrive, të pushtetit lokal, nuk informojnë për keqpërdorimet e ndryshme dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, i mbrojnë të fuqishmit...
Pikërisht për arsye se ka shumë media të varura, unë vendosa të bëhem gazetar qytetar, të veproj dhe të informoj sa më tepër njerëz për atë që është e vërtetë, ndërsa fshihet nga ne.
Kam shkruar disa tekste, kam regjistruar disa video dhe fotografi si gazetar qytetar. Për një nga artikujt e mi, në të cilin bëhet fjalë për atë se sa shteti ynë kujdeset për sigurinë e qytetarëve dhe turistëve, me titull “Shkupi 2014 – shëtitje e rrezikshme nëpër sheshin “Maqedonia”, kam fituar edhe shpërblim në konkursin për gazetarë qytetarë nga projekti “Objektivi qytetar”.
Nuk është fare rëndë!
Gazetar qytetar mund të bëhet secili që dëshiron, secili që di ta përdorë telefonin e tij të mençur, i shfrytëzon rrjetet sociale dhe është i motivuar ta tregojë të vërtetën!
Për këtë arsye, dëshiroj t’u porosis të gjithë bashkëqytetarëve të mi, shoqeve dhe shokëve, të interesohen dhe të bëhen gazetarë qytetarë. Shtetit tonë i duhen mendje të lira dhe njerëz të cilët luftojnë për të vërtetën dhe lirinë, gjë që këtyre viteve na mungon tepër.
This post is also available in: MacedonianEnglish