Gjatë protestave të mbështetësve të VMRO-DPMNE në Shkup, kundër siç thonë ata “dygjuhësisë dhe ridefinimit të shtetit”, në një autobus të Ndërmarrjes Qarkulluese Publike është lëshuar emision I Radio Maqedonia e lirë në të cilin udhëheqësi, Aleksandar Stankovski, i cili njëkohësisht është edhe një nga mbështetësit më të zëshëm të pushtetit, ka folur për copëtimin e shtetit, për agresion nga Kosova, dhe për skenar të trilluar nga të huajt…?!
Qytetari gazetar i cili dëshiron të mbetet anonim, dje na dërgoi regjistrim nga një pjesë e fjalimit të radio emisionit e cila është lëshuar në autobusin me numër 53, që udhëton deri në Banjën e Katllanovës dhe me të cilin udhëtojnë qytetare dhe qytetarë nga të gjitha etnitë.
“E pyeta vozitësin e autobusit se pse ka lëshuar radio emision në të cilin përhapet propaganda nacionaliste? Vozitësi nuk u përgjigj, vetëm heshti”, thotë gazetari anonim.
Ai shton se ka pasur komente nga qytetarët se vozitësit e NQP, me lëshimin e emisioneve me propaganda nacionaliste, në një mënyrë janë nxitës të drejtpërdrejtë të incidenteve ndëretnike mes të rinjve nëpër autobusë.
Që të jetë ironia më e madhe, derisa vazhdonte emisioni propagandist në radio, për atë se sa Maqedonasit duhet ta duan dhe ta mbrojnë shtetin nga ndikime të huaja të cilat duan ta copëtojnë dhe të vendosin dygjuhësi, në tabelën e sinjaleve në autobus, vazhdimisht lëvizte teksti në gjuhën Maqedonase dhe Shqipe.
Para një jave në Kurir kishte tekst se edhe NQP – Shkup e mbështet iniciativën qytetare “Për Maqedoni të Përbashkët” e cila angazhohet për “ruajtjen e unitetit dhe sovranitetit të shtetit”.
This post is also available in: MacedonianEnglish