Gjatë shtatë ditëve të kaluara, gjegjësisht, nga e hëna e kaluar deri të dielën në mesnatë, partitë kanë paguar 181 video dhe 181 përmbajtje të sponsorizuara në rrjetin social, siç konstatoi monitorimi i CIVILit për financimin e fushatës parazgjedhore. Ekipi i CIVILit në periudhën nga 29 qershori deri më 5 korrik ka regjistruar gjithsej 383 ngjarje dhe aktivitete për të cilat partitë kanë shpenzuar para në, ose jashtë kornizave të reklamimit të paguar politik.
Më të shpeshtat, si edhe në periudhën e parë të fushatës, janë përmbajtjet e sponsorizuara në Fejsbuk, dhe video spotet. Pasojnë shpërndarjet e materialeve partiake promovuese, e pas këtyre, vetëm në 31 rast gjatë javës së kaluar, janë mitingjet ose tubime tjera të partive.
Si porositës të përmbajtjeve të sponsorizuara ose organizatorë të tubimeve publike në 138 raste është regjistruar partia LSDM, menjëherë pas saj, në 131 raste VMRO-DPMNE, e treta me 25 aktivitete të regjistruara është Aleanca për Shqiptarët.
Sipas numrit të aktiviteteve me numër më të madh nga partitë tjera është kategoria e përmbajtjeve dhe aktiviteteve me porositës të panjohur, me rregull kundër ndonjë partie politike.
Nga 23 përmbajtje të fushatës për të cilat nuk dihet se kush i ka paguar, 20 janë të drejtuara kundër LSDM, dy me tendencë për denigrim të VMRO-DPMNE, ndërsa një kundër të gjitha partive dhe politikanëve, por me parullë të VMRO-DPMNE.
Javën e kaluar monitorimi ka regjistruar 13 video spote të prodhuara me qëllim të denigrimit të ndonjë partie, ose spote për “fushatë të zezë” kundër një partie. Shtatë janë porositur nga VMRO-DPMNE, katër nga LSDM, ndërsa dy, nga një kundër secilës nga partitë paraprake, janë me porositës të panjohur.
Gjatë javës së kaluar, për dallim nga periudha në fillimin e fushatës, nuk ishin të regjistruara gjetje për ryshfet të votuesve. Mirëpo, ekipi i monitorimit regjistroi përmbajtje të sponsorizuara për projekte infrastrukture, të cilat ka mundësi të jenë në kundërshtim me Kodin zgjedhor dhe Ligjin për parandalimin e korrupsionit dhe ndeshjen e interesave. Ndërkaq, monitorimi më 2 qershor ka regjistruar se Teuta Arifi në Fejsbuk publikon përmbajtje të sponsorizuar me informatë për fillimin e projektit komunal për rikonstruimin e shkollës fillore në Reçicë të Vogël. Ditën e nesërme, monitorimi regjistroi se faqja e kryetarit të komunës Gazi Babë, Boris Georgievski, publikon postim të sponsorizuar me video promovuese për projektet e infrastrukturës në komunë.
Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit dhe ndeshjes së interesave ( KSHPKI) para fillimit të fushatës në dy raste ka përkujtuar për kufizimet ligjore të aktiviteteve në periudhën zgjedhore:
“Nuk mund të fillohet me ndërtim me mjete nga buxheti ose fondet publike ose me mjete të ndërmarrjeve publike ose personave juridikë që disponojnë me kapital shtetëror për objekte të reja në infrastrukturën siç janë rrugë, ujësjellës, largpërçues, kanalizim, fusha sportive dhe objekte tjera për aktivitete shoqërore, shkolla, çerdhe dhe objekte tjera, përveç nëse për atë qëllim paraprakisht janë siguruar mjete nga buxheti, gjegjësisht, bëhet fjalë për realizimin e programit të miratuar në bazë të ligjit gjatë vitit aktual”.
Monitorimi ka regjistruar dy raste në të cilat tubimet politike organizohen në objekte shkollore – tubime të organizuara nga Aleanca në fshatrat Zhelinë dhe Çellopek. Ekipi ka vërejtur disa raste të transparenteve partiake të vendosura jashtë normave ligjore, por edhe disa raste të “gjindshmërisë” së partive që të arrijnë dukshmëri më të madhe. Për shembull, pllakate parazgjedhore të kandidates së LSDM, Fanica Nikollovska, të ngjitura mbi pemë dhe pole në disa pjesë të Tetovës, një pllakate nga partia Vëllazëria Krishtere e ngjitur në transformator në lagjen Parisi i Vogël në Manastir, pllakate nga partia politike Integra në më tepër shenja trafiku nëpër Manastir, pllakate nga partia politike VMRO-DPMNE në stacionin e autobusit në fshatin Bistricë në Manastir…