UÇK – xhokeri i rregullt i BDI-së

Që nga fillimi i fushatës zgjedhore e deri në tubimin e fundit, BDI asnjëherë nuk anashkaloi mundësinë të përmendë luftën e vitit 2001 dhe sakrificat e bëra nga disa anëtarë të partisë që morën pjesë në atë luftë. Nga njëra anë, ata thonë se janë politikanë kompetentë që dinë të punojnë për shqiptarët në vend, dhe nga ana tjetër, me këto video dhe foto armiqësore, ata duket se thonë se është koha për luftë ose, nëse është e nevojshme, ata janë të gatshëm prap ti marrin armët në duar. Me siguri, nëse i pyetni ata, do t’ju thonë se ata nuk janë për luftë, por se në atë mënyrë ata arritën të zgjidhin çështjen shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Sidoqoftë, kjo rezulton në një ndarje më të madhe midis mbështetësve të tyre dhe qytetarët tjerë nga vendi. Paraqitja e vazhdueshme e mesazheve të tilla “patriotike” nga BDI ka një efekt nacionalist, i cili shkon kundër mesazhit që ata pretendojnë të bartin me kandidaturën e Kryeministrit shqiptar, se ai, në të vërtetë, do t’i afrojë komunitetet e ndryshme etnike në Maqedoninë e Veriut.

Kumanovë

Në tubimin në Kumanovë, Berat Ajdari nga BDI iu përgjigj akuzës së Muhamed Zeqirit nga LSDM-ja, në të cilën ai tha: “Unë nuk njoh ndonjë parti tjetër politike përveç BDI-së, e cila ka duar të gjakosura”.

Në këtë Ajdari thotë:

“Kam dëgjuar që një kandidat për deputet, një shqiptar me identitet kombëtar të humbur i cili as që guxon të flasë shqip, ka folur për BDI-në.

Ai ka thënë që duart tona janë të ndyra me gjak. Po unë i kam duart me gjak, por me gjak dëshmori, me gjak luftëtari, invalidi dhe ushtari. Gjaku im nuk është i përzier, as i fëlliqur, e as i ndotur. Për të njohur vlerën e luftës, së pari duhet të dini vlerën e familjes. Nga një person që nuk ka luftuar për familjen e tij, ne nuk mund të presim që ai të luftojë për kombin”, thekson Ajdari.

Kjo video është postuar në faqen në Facebook të Bashke.tv. dhe ka mbi 500 reagime dhe 115 shpërndarje. Në komentet Zekiri quhet spiun, shka, qen… Shuma e shpërndarjeve dhe e mbështetësve është shqetësuese, veçanërisht kur mesazhi përmban një konotacion kaq negativ.

Kërçovë

Në tubimin e fundit të mbajtur nga BDI në Kërçovë, u theksua se lufta ka qenë lidhja për çlirimin dhe mënyra se si shqiptarët morën drejtësinë në vend.

Kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari i BDI-së thotë se Zijadin Sela dhe Bilal Kasami nuk kanë qenë në UÇK gjatë luftës, që do të thotë se ata nuk janë në gjendje të rivendosin dinjitetin e shqiptarëve në vend, për të cilin ai thotë se është humbur.

 

Edhe kandidati i partisë për kryeministër, Naser Ziberi, është bashkuar në dërgimin e mesazheve të këtij lloji. Në fillim të fjalimit të tij, ai e përshëndeti Kërçovën si një “qytet të burrave luftëtarë, ushtarë dhe çlirimtarë”.

Dhe ndërsa lideri i partisë Ali Ahmeti ishte duke mbajtur fjalim, të pranishmit njëzëri brohoritnin “UÇK, UÇK”.

Shkup

Edhe në tubimin në Shkup, megjithëse më të moderuar, BDI nuk lëshoi e të mos përmendë vitin 2001. Është e rëndësishme të përmendet se në Shkup, Ali Ahmeti tha se në një ngjarje në të kaluarën e largët, Goce Delçevi ka mbajtur një fjalim para shqiptarëve i veshur me plis. Të nesërmen, disa historianë shqiptarë e mohuan Ahmetin se një gjë e tillë kishte ndodhur, duke treguar se nuk kishte asnjë dokument apo fotografi për ta provuar atë.

Por për BDI-në kjo nuk është asgjë e re, edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, Artan Grubi nisi fushatën me brohoritjket “UÇK, UÇK”.

 

Ekipi monitorues i CIVIL-it