SKEN- Video magazinë politike: Video -duel zgjedhor, pamje nga ardhmëria ose kthim në të kaluarën

Filloi fushata zyrtare për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 15 korrik. Menjëherë pas mesnatës, disa minuta pas fillimit të fushatës parazgjedhore, rrjetet sociale u mbushën me materiale propagandiste zgjedhore. Në videot e para të partive politike vërehet se disa e zhvillojnë fushatën për vlera evropiane dhe ardhmëri, ndërsa tjerë merren me veprat e pushtetit të udhëhequr nga LSDM. Temë e këtij edicioni të SKENit është video dueli zgjedhor, gjegjësisht, a do të shohim drejt ardhmërisë, ose do të kthehemi në të kaluarën.

Spotet e para të koalicionit “Mundemi”, e udhëhequr nga LSDM, i kushtohen ardhmërisë të të rinjve, pensionistëve dhe punëtorëve. Në një nga spotet pyesin “Në çfarë vendi duam të jetojmë?”, duke bërë paralele me pushtetin e kaluar të udhëhequr nga Nikolla Gruevski, i cili është në arrati, dhe pushtetit të Zoran Zaevit.

“Papunësinë te të rinjtë e zvogëluam për më tepër se 13%, kemi vendosur edhe shtesë rinore të rrogës për punësim të të rinjve në prodhimtari. Vazhdojmë me reforma në arsim, që të rinjtë të fitojnë dituri praktike dhe përvojë dhe këtë ta aplikojnë në ekonominë e vendit.

Treguam se mund të kemi vend në të cilin askush nuk është i harruar. Nga një vend në të cilin pensionistët dhe punëtorët ishin të përulur, u shndërruam në vend me probleme të zgjidhura të të falimentuarve, vend me shpenzime  të ulura për rrymë, vend i cili në krizën më të madhe kujdeset për më të rrezikuarit”, thonë nga LSDM.

VMRO-DPMNE filloi fushatën me një video të diskutueshme në të cilën qytetarët paraqiten të kërrysur . Porosia e këtij spoti është se ka ardhur koha qytetarët të drejtohen dhe t’i drejtojnë padrejtësitë. Ndërsa në një video tjetër, VMRO -DPMNE  provojnë përmes sarkazmit t’i paraqesin dështimet e pushtetit.

Dafina Stojanovska, bartëse e listës e koalicionit “Përtëritja e Maqedonisë” në NJZ 6, në video spotin e VMRO-DPMNE thotë “ bashkëjetesa duhet të praktikohet, e jo vetëm të propagohet”. Por, a do të praktikohet me të vërtetë bashkëjetesa pasi që fushatën e filluan me lutje mëngjesi në kishën “Shën Kirili dhe Metodi” në Tetovë, e pastaj publikuan një video nga të vetëquajturit Komitë në Veles, duke e kënduar këngën “Dil Gjurgjë t’i shohësh Komitët”...

Pas publikimit të spotit të VMRO-DPMNE nën sloganin “Drejtohu Maqedoni”, menjëherë u paraqitën disa parodi në rrjetet sociale.

Por, edhe përskaj parodive, Shoqata Hendikep plus reagoi për spotin parazgjedhor të VMRO-DPMNE me slogani “Drejtohu Maqedoni”, duke treguar se një pjesë e interpretimeve të përmbajtjes në spotin lënë hapësirë që personat me aftësi të kufizuara të paraqiten në kontekst përulës, në pozitë degraduese dhe ofenduese kundrejt të gjithë tjerëve.

Pas reagimit të Shoqatës “Hendikep plus” në Twitter u publikua një cicërrimë me përmbajtje: ”A është në rregull që SDS (LSDM) të angazhojë persona me aftësi të kufizuara në stenda të shpërndajnë fletushka? Kjo nuk është njerëzore, por e tillë është partia, e fëlliqur, komuniste, vetëm për karrike!”

Kësaj i reagoi aktivisti Zoran Kardula dhe në profilin e tij në Fejsbuk ka shkurajtur:  “Dita e dytë e fushatës për zgjedhje e VMRO-DPMNE reflekton me diskriminim, urrejtje dhe destruktivitet me të cilin janë mësuar. Sipas tyre, si një racë superiore kriminele, personat me aftësi të kufizuara duhet t’i mbyllim nëpër shtëpia dhe duhet ti fshehim dhe t’i mos i përziejmë me tjerët. Personat me aftësi të kufizuara janë qytetarë të barabartë në këtë shtet dhe çdo akt i këtillë duhet të dënohet. Kjo është e keqe”.

CIVILI reagon ashpër për këto spote parazgjedhore të cilat njëkohësisht janë përulëse për njerëzit, e posaçërisht për personat me aftësi të kufizuara dhe gratë. Spotet e këtilla ndoshta nuk përcjellin mesazh të drejtpërdrejtë, mirëpo së paku nxisin krijimin e paragjykimeve dhe gjuhë të urrejtjes.

CIVILI apelon deri te të gjithë vepruesit në procesin zgjedhor në të ardhmen të kenë kujdes se çfarë porosi dërgojnë me prodhimet e tyre parazgjedhore propagandiste dhe mediatike. Ofendimet, përuljet, diskriminimi, seksizmi nuk janë mënyra të pranueshme të garës politike!

Para se të fillojë fushata parazgjedhore, CIVILi nga partitë politike kërkoi që fushatat t’i zhvillojnë në mënyrë të drejtë, demokratike dhe të sigurt, të sillen me përgjegjësi ndaj publikut dhe ndaj ligjeve dhe standardeve demokratike. Nga organizata theksojnë se nga partitë politike pritet që propaganda e zezë të zëvendësohet me mesazhe pozitive dhe me ide që dalin nga programet e tyre, në mënyrë që qytetarët të kenë pasqyrë të qartë për ofertën politike, pas të cilës do të marrin vendim të informuar zgjedhor për ditën e votimeve.

Partia e Ali Ahmetit e paraqiti kandidatin e saj për kryeministër. Për pozitën kryesore në Qeverinë e re, BDI e nominon noterin Naser Zyberi. Ai ishte deputet nga radhët e PPD në tre mandate, ndërsa nga viti 1996 deri 1998 ishte ministër për punë dhe politikë sociale dhe nënkryetar i Qeverisë së udhëhequr nga Branko Cërvenkovski. Zyberi në adresimin e tij  u porositi Zaevit dhe Mickoskit se nuk janë pronarë të këtij vendi. Ai në promovimin e tij në Prespë tha se e ka pranuar ofertën pa mëdyshje.

“Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski! Ju nuk mund ta mohoni të drejtën e Shqiptarëve të kenë Kryeministër Shqiptar, ju nuk jeni pronarë dhe patronë të këtij vendi!”, është mesazhi i Zyberit.

Kryetari i partisë popullore të Romëve, Gege Demirovski, e filloi fushatën vetë nga Prilepi. Përmes video selfie në Fejsbuk ka theksuar se Romët në këto zgjedhje do të votojnë për atë, gjegjësisht për partinë politike Rome të vetme e cila paraqitet e pavarur në këto zgjedhje dhe paralajmëroi se nuk do të lejojë që votat e Romëve të derdhen në partitë Maqedonase. Në videon dhe fotografitë që i publikoi në statusin e tij në Fejsbuk, ka edhe fëmijë.

Në këto zgjedhje shihet se rrjetet sociale do të jenë fushë beteja e partive politike ku do të luftojnë të fitojnë më tepër vota.

Dehran Muratov

Kamera dhe montazhi: Arian Mehmeti