Gazetaria është mjaftë e qartë sipas definicionit. Ato janë informata që janë në shërbim të interesit publik, ose janë ato që qytetarët duan ta dinë. Gazetaria qytetare është kur cilido qytetar do të prodhojë përmbajtje të saktë, relevante dhe e prek interesin publik.
Thjeshtë, gazetarinë nuk duhet ta kufizojmë vetëm në profesionistët që punojnë në media, por këtë mund ta punojë cilido qytetar, përderisa e punon sipas standardeve të gazetarisë.
Pse është kjo e rëndësishme për këtë moment? Është e rëndësishme sepse e shohim, edhe atë jo vetëm tani, këtë vit, ose disa vite të kaluara, se ky trend zgjat më gjatë, se mediat më të mëdha tradicionale mjaftë e ngushtuan rrethin e veprimit. Ata nuk punojnë vetëm ashti si duhet të punojë profesioni në interesin e publikut, por shpesh u shërbejnë interesave tjera, politike dhe para së gjithash ekonomike, gjegjësisht, interesave të pronarëve të tyre. Kjo, anembanë botës ka sjellë deri te kërkesa më e madhe e informatave që janë të pavarura nga qendrat e fuqive. Era digjitale mundësoi të krijohen shumë media që prodhojnë informata, por një pjesë e madhe e këtyre mediave përsëri u ndalën që t’u shërbejnë interesave të qendrave të caktuara të fuqive, dhe jo interesave të publikut dhe të jenë mbrojtës të interesit publik.
Prandaj edhe paraqitet gazetaria qytetare. Kjo është përgjigje e kërkesës, e qytetarëve, çdo kund në botë për informata që janë të vërteta, të sakta dhe të cilat e mbrojnë interesin e tyre si sovranë, ose bartës të të drejtave politike në secilin shtet. Derisa kjo lidhje natyrore mes qytetarëve dhe medias është e rrënuar, do të jetë me rëndësi ekzistenca dhe zhvillimi i gazetarisë qytetare. Derisa mediat nuk janë të strukturuara ashtu si duhet, opinioni do të kërkojë mënyra të përgjigjet. Gazetaria qytetare, thjeshtë, është përgjigje e mungesës së informatave të besueshme dhe të pavarura.
Kritikët e gazetarisë qytetare më së tepërmi aludojnë se njerëzit që nuk janë të trajnuar dhe nuk dinë të bëjnë lajme, shpesh munden, nga padija, ose pakujdesi, nga mungesa e informatave tjera, ta gënjejnë opinionin. Përsëri do të kthehem te ajo që e tregova në fillim, gazetaria është standard. Njerëz që punojnë në redaksi serioze çdo ditë e rrënojnë atë standard. Çfarë të themi tani, se ata nuk janë gazetarë? E po kjo është e vërteta… Se njerëzit që nuk punojnë sipas standardeve gazetare, nuk janë gazetarë. Derisa gjendja është e këtillë, ne nuk mundemi, e as konventat ndërkombëtare nuk na e japin këtë të drejtë, t’ia kufizojmë dikujt lirinë e shprehjes. Sepse kjo kritikë, në rend të parë duhet ta ketë parasysh të drejtën e njeriut të shprehet lirshëm, t’u përmbahen postulateve të gazetarisë, që të mundësojnë hapësirë që dikush tjetër të hyjë atje ku ata kanë liruar vend ose nuk kanë pasur sukses.
Është shumë e thjeshtë. Njerëzit kërkojnë ta dëgjojnë të vërtetën. Prandaj është shumë me rëndësi që mediat të jenë të organizuara dhe të punojnë në interesin e opinionit.
Sa i përket gjuhës së urrejtjes, kryesisht, prodhues i gjuhës së urrejtjes është onlajn sfera dhe rrjetet sociale. Një pjesë shumë më e vogël nga kjo vjen nga redaksitë e organizuara. Funksioni i gazetarisë qytetare, këtu do të ishte pikërisht ajo që edhe e bën shpesh, të udhëzojë për veprimet që janë kundër gjuhës së urrejtjes, të shpalos ndonjë gënjeshtër e cila mund të shkaktojë gjuhë të urrejtjes etj.
This post is also available in: Macedonian