Fejzi Hajdari, pronar i gazetës LAJM
Megjithëse viteve te fundit ka një ndryshim të lehtë, krahasuar me regjimin e dikurshëm VMRO-BDI, sa i përket lirise së mediave, megjithatë është pikërisht raporti klientelistë, që është krijuar vite më parë mes politikës, biznesit dhe pronarëve të mediave, ai që në mënyrë absolute po ngulfatë mediat për të kryer punën e tyre në mënyrë profesionale. Tendenca e tillë për t’i shndërruar mediat në makineri propaganduese dhe në autoparlantë partie, asessesi të pushojë. E shihni se mediat kryesore tani më në një mënyrë kanë qasje shumë miqësore ndaj pushtetit të ri (sikurse më pare me pushtetet tjera), ndërsa ato ishin grushti i regjimit të Gruevskit. Si mund të thuhet se ka liri të medias ose të shprehjes së fjalës së lirë, në momentin kur partia shqiptare në pushtet BDI dhe Ali Ahmeti, ndaj Gazetës Lajm dhe kryeredaktorit të saj Isen Saliu, akoma vazhdojnë procesin gjyqësor, madje në instancën më të lartë gjyqësore – Gjykatën Kushtetuese, lidhur me nje shkrim koti, të cilin instancat më të ulëta gjyqësore, paraprakisht e kishin hedhur poshtë, si të pabazë. Pikërisht për shkak të presionit nga bandat kriminale të partisë shqiptare në pushtet dhe disa presioneve tjera pak a shumë të këtij lloji, ne (Gazeta Lajm), ishim pjesë e Raportit Vjetor të Stejt Departamentit Amerikan ne vitin 2016. Prandaj, mendoj se qeveria e tanishme duhet të manifestojë qëllime serioze për të bërë reforma thelbësore në media, të cilat, do të prodhonin liri më të madhe dhe përgjegjësi tek gazetarët dhe tek mediat në punën e tyre.
Mendoj se duhet te dëshmohet një vullnet shumë më i madh serioz politik për të hyrë , në çmontimin e sistemit mediatik ekzistues, sepse të mos harrojmë se një nga shtyllat kryesore të shtetit të kapur ishin edhe mediat. Qeveria e tanishme, por edhe të tjerat që do të vijnë, duhet ta harrojnë përpjekjen permanente ose më mirë thënë praktikat e deritanishme të qeverive, për instrumentalizimin e mediave për nevojat e veta, gjegjësisht për përforcim të pushtetit. Nëse gojën e kemi plotë integrim dhe BE, atëherë përpjekja e tillë absolutisht ska të bëjë me këto procese.