CIVILI u bën thirrje të gjithë të interesuarve të marrin pjesë në projektin #ObjektiviQytetar dhe të bëhen pjesë e familjes së madhe të gazetarëve qytetarë anembanë botës, të cilët me artikujt e tyre e ndryshojnë shoqërinë. Me çdo video ose fotografi të publikuar në temat: shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut, keqpërdorim, padrejtësi, korrupsion, gjuhë e urrejtjes dhe lajme të rrejshme, qytetarët kontribuojnë për institucione më të përgjegjshme dhe më transparente.
Kur bëhet fjalë për Civilin, përveç se kanë hapësirë për publikim pa censurë, gazetarët qytetarë njëkohësisht bëhen fitues potencialë të një nga pesë shpërblimet e vlefshme për gazetari qytetare, të cilat Civili i ndan çdo dy muaj. Pjesëmarrja mund të jetë edhe anonime.
“Ndarja e ardhshme e shpërblimeve është me 30 maj ( e enjte), në Menada në Shkup, në Çarshinë e vjetër. Afati i fundit për dorëzimin foto ose video tregimeve është më 19 maj ( e mërkurë), ora 17. Artikujt që do të arrijnë pas kësaj date do të merren parasysh për shpërblim në ciklin e fundit të shpërblimeve për këtë vit. Prandaj, shpejtoni!” – informon ekipi për implementimin e projektit “Objektivi qytetar” i Civilit.
Përveç temave të lartpërmendura, mund të dërgohen edhe video artikuj për iniciativën #KërkojPërgjigje. Ideja e kësaj iniciative është që përmes videos, ose selfie -videos, qytetaret dhe qytetarët të parashtrojnë pyetje për politikane/politikan, person publik ose institucion, ndërsa incizimin CIVILI do ta publikojë në kanalet onlajn të organizatës. Nëse pyetja është provokuese, ose qytetarja/qytetari dëshirojnë të mbeten anonimë, ekziston opsioni të incizohet objekti ose ndonjë situatë, gjatë parashtrimit të pyetjes.
Objektivi Qytetar është projekt i Civilit i cili për katër vite me radhë u hap mundësi qytetareve dhe qytetarëve për publikimin e tregimeve të tyre lirë dhe pa censurë. Projekti është i financuar nga National Endowment for Democracy.
This post is also available in: MacedonianEnglish