Nxënësit që mësojnë në shkollat e mesme në Kumanovë, ballafaqohen me numër të madh problemesh për shkak të kushteve në të cilat mbahet mësimi. Paralelet në gjuhën shqipe nga gjimnazi “Sami Frashëri” dhe nga Shkolla e Mesme Teknike “Nace Bugjoni”, pas ndarjes nga shkollat ame, sot punojnë në ambiente të improvizuara. Për kushtet në këto dy shkolla, shkruan gazetari qytetar Zenel Miftari, i cili deri para një viti edhe vetë ka qenë nxënës në “Nace Bugjoni”.
Nga viti 2004, në këtë gjimnaz, mësimi mbahet në ambiente të adaptuara në ambientet e KIB “Kumanovë”. Përskaj të gjitha premtimeve për dislokimin e gjimnazit në ambiente të cilat do t’u përshtaten nevojave të nxënësve, për më shumë se 10 vite nuk ndërmerret asgjë.
Nxënësit janë të pakënaqur nga kushtet, gjatë reshjeve më të vogla të shiut, nga kulmi rrjedh ujë dhe shpesh edhe kompjuterët u prishen nga rrjedhja e ujit. Nëpër tualete nuk është i rregulluar kanalizimi, vazhdimisht kundërmon erë e keqe dhe pengon gjatë mësimit.
Paralelet në gjuhën shqipe nga shkolla e mesme “Nace Bugjoni”, janë të ndarë vetëm në mënyrë të improvizuar me gjimnazin, dhe nga atje thonë se u mungojnë kushte për mbajtjen e mësimit praktik, që të mund të jenë të përgatitur për arsimimin e mëtejshëm të lartë. Ata theksojnë se dëshirojnë t’i kenë kushtet e njëjta si bashkënxënësit e tyre maqedonas.
“Nuk kemi sallë sportive, as terren më të gjerë sportiv. Nuk kemi as oborr shkollor, ku do të mund të dalim gjatë pushimit të madh, për arsye se objekti shkollor është i ndërtuar në skaj të bulevardit”, thonë nxënësit nga këtë shkolla të mesme.
CIVIL Media bisedoi me udhëheqësin e Sektorit për Arsim në Komunën e Kumanovës, Zhika Krstevski.
“Ky problem ekziston për më shumë se 10 vite, kur në vend të integrimit mes bashkësive të ndryshme etnike, u bë shpërbërja, dhe paralelet në gjuhën shqipe u ndanë nga shkollat ame, në ambiente të improvizuara. Problemi është real, këto dy shkolla nuk i plotësojnë standardet themelore për mbajtje të mësimit. Ne nuk ikim nga gjendja faktike, por sipas financave dhe kompetencave që i ka vetëqeverisja lokale, ne nuk mund të sigurojmë dislokimin e këtyre paraleleve. Ministria për Arsim dhe Shkencë është kompetente, dhe nga atje një kohë të gjatë premtojnë se paralelet në gjuhën shqipe nga këto shkolla, do të dislokohen në kazermë, mirëpo kjo akoma nuk ndodh”, thotë Krstevski.
Teksti dhe fotografitë: Zenel Miftari