Çfarë është keqpërdorimi i pozitës zyrtare gjatë zgjedhjeve

0

Keqpërdorimi i pozitës zyrtare është çdo veprim i funksionarëve dhe personave zyrtarë me të cilin e shfrytëzojnë autorizimet e tyre, i tejkalojnë ose nuk e kryejnë detyrën zyrtare që të fitojnë ndonjë interes.

“Personi zyrtar i cili me shfrytëzimin e pozitës zyrtare ose autorizimin, me tejkalimin e kufijve të autorizimit zyrtar ose me moskryerjen e detyrës zyrtare do të fitojë për vete ose dikë tjetër ndonjë interes ose i shkakton dëm tjetrit, do të ndëshkohet me burg prej 6 muaj deri 3 vite”, shkruan në Nenin 353 të Kodit penal Kaptina 13 – Vepra penale kundër detyrës zyrtare.

Në kontekst zgjedhor, keqpërdorimi i pozitës zyrtare nënkupton shfrytëzimin e pozitës së zyrtarit për qëllime zgjedhore. Për këto keqpërdorime shkruhet edhe në një kaptinë në Kodin penal, Kaptina 16 – Vepra penale kundër zgjedhjeve dhe votimit. Ky keqpërdorim i pozitës zyrtare shpesh ka të bëjë me ushtrimin e presionit ose tentimin për presion ndaj të punësuarve në administratën shtetërore publike, në institucione tjera të financuara nga buxheti i shtetit, buxhetet e komunave, si dhe në shoqatat tregtare dhe ndërmarrjet me kapital shtetëror.

Gjithashtu, keqpërdorimi i pozitës zyrtare për qëllime zgjedhore lidhet me kërcënime ndaj të punësuarve dhe qytetarë, në drejtim të punësimit të tyre dhe sigurisë sociale, si rezultat e mbështetjes së tyre ose mosmbështetjes së një partie politike ose kandidati të caktuar.

Pikërisht nga këto arsye, partitë politike dhe kandidatët pjesëmarrës në vendin janë të obliguar të nënshkruajnë Kodeksin për zgjedhje të drejta dhe demokratike me të cilin publikisht, pa dyshime obligohen se nuk do të kryejnë presione.

Keqpërdorimi i pozitës zyrtare mund të jetë edhe për persona zyrtarë që marrin pjesë në fushatë zgjedhore në uniformë zyrtare, për çfarë, për shembull, Kodi Zgjedhor parasheh gjobë në shumë prej 1000 deri 3000 euro në kundërvlerë në denarë.

M. Ivanovska