U shpërblyen tregimet për (pa) drejtësi sociale, ndotjen, probleme komunale, gjuhë të urrejtjes, dhe pakënaqësitë e qytetarëve

Drejtësia sociale, ndotje, probleme komunale, gjuhë e urrejtjes dhe pakënaqësitë e qytetarëve janë temat e tregimeve të gazetarëve qytetarë për të cilat CIVIL – Qendra për Liri ndau pesë shpërblime në kornizat e projektit Objektivi Qytetar, i mbështetur nga National Endowment for Democracy.

Një nga dy shpërblimet e katërta i takoi gazetarit qytetar Vullnet Mahmuti për foto sesionin “Autobusët e qytetit – strehim i ngrohtë për të pastrehët”. Fotografitë e Mahmutit tregojnë për personat e pastrehë ( shpeshherë fëmijë) të cilët gjatë dimrit e shfrytëzojnë transportin publik që të ngrohen dhe të pushojnë.

Shpërblimi i dytë i katërt i takoi grupit të gazetarëve qytetarë nga gjashtë komuna ( Veles, Prilep, Shtip, Kërçovë, Shkup dhe Pehçevë), të cilët gjatë seminarit dyditësh për gazetari qytetare në Veles, realizuan anketë në rrugët e Velesit dhe i pyetën qytetarët nëse a janë të kënaqur nga pushteti lokal. Marija Pupulieva, Angella Nikollovska, Simona M. Zhivkova, Sema Gjullagoska, Nebie Zaimovska dhe Emrah Grutkov janë gazetarët qytetarë të cilët e fituan këtë shpërblim të katërt, për anketën “Nuk mendohet për popullin, mendohet për përfitimin!”. Shpërblimin në emër të këtij grupi e pranoi Nebie Zaimovska.

Shpërblimi i tretë i takoi tregimit “Ohisi nuk punon, por ndot!”, i gazetarit qytetar Vllatko Mishevski. Ky tregim shkaktoi reagime të mëdha në opinion, sepse në ditën e njëjtë kur u incizuan video materialet dhe fotografitë, më 22 janar, Inspektorati shtetëror për mjedis jetësor dërgoi kumtesë te mediat për mbikëqyrjet e jashtëzakonshme mbi objektet industriale në vend. Në kumtesën e Inspektoratit thuhet se nuk është konstatuar ndotje nga ana e Ohisit, sepse nuk janë në “regjim pune me vite”. Nga ana tjetër, tregimi i Mishevskit tregon se atje megjithatë punohet, edhe atë çdo ditë.

Shpërblimi i dytë i takoi gazetarit qytetar Kanoj Shaban për foto – tregimin “Gjuha e urrejtjes e komitëve: Derr për ramazan!”.

“Komitët” me gjuhë të urrejtjes dhe mesazhe ofenduese e shënuan Krishtlindjen me një shkrim mbi murin e një shitoreje në lagjen Maxhari “Derr për ramazan, dhe “Shiptarski p...”.

“Këto janë vepra të pandershme dhe të ndyta të disa nga fqinjët e mi, që e pasqyrojnë moralin e tyre, injorancën, vandalizmin, provokimin nacional dhe fetar, për të cilat nuk ka dhe nuk duhet të ketë vend në shoqërinë tonë. Shpresoj se kjo do të arrijë deri te institucionet relevante shtetërore dhe se do të ndërmarrin masa përkatëse për gjetjen e vepruesve dhe sanksionimin e tyre!”, tha Shaban.

Pas publikimit të këtij tregimi, Shaban Civilin si organizatë  e njohu si vend ku mund të flet për problemet dhe diskriminimet me të cilat përballet çdo ditë, për shkak të përkatësisë fetare. CIVIL Media realizoi intervistë me Shabanin, në të cilën ai shprehet për pengesat dhe problemet me të cilat ballafaqohen ai dhe familja e tij gjatë viteve, vetëm se janë “ndryshe” nga fqinjët dhe bashkëqytetarët.

Tregimi “Mini deponi te tregu i Velesit” i grupit të gazetarëve qytetarë – pjesëmarrës në seminarin në Veles e fitoi çmimin e parë në këtë cikël.

Mini deponia gjendet në pjesën e vjetër në Veles, gjegjësisht, në tregun e qytetit. Mirëpo, tragjedia më e madhe është se në afërsi gjendet çerdhe në të cilën shkojnë rreth 300 fëmijë. Banorët që jetojnë atje thonë se era është e padurueshme, posaçërisht në ditët e verës. Tregimin e realizuan Bllagojço Kostadinov, Julija Nikollovska, Jovan Jovanovski, Rihad Rexhepi dhe Delfina Janeva.

Maja Ivanovska
përkthim: Dijana Tahiri

This post is also available in: MacedonianEnglish