Sign in / Join

Kur do t’ju luajë arusha para derës, kujtoni heshtjen tuaj

Dje, gazetari Tomislav Kezharovski u ftua për bisedë informative në polici, për shkak të “ngjyrosjes së objektit”. Njeriu, për shkak të cilit u bëmë “të njohur” në bashkësinë ndërkombëtare politike dhe mediatike, viktima e regjimit dhe qasjes brutale ndaj mediave dhe gazetarëve të lirë, sërish ishte i detyruar të ballafaqohet me xhelatët e tij. Dhe sërish, për këtë nuk ka lajm në asnjë televizion në gjuhën maqedonase. Dhe, përsëri, përveçse në disa internet portale, heshtje.

petrit-saracini-500x500-1-1-200x200

Shkruan: Petrit Saraqini

Për më tepër, për Kezhon dje para stacionit policor ka pasur edhe kamerë të një kinse televizioni të pavarur, por nuk ka pasur kontribut në lajmet e tij. Me siguri se kanë pasur pune tjera më të rëndësishme në agjendë.

Ngjashëm ishte edhe para disa ditëve rreth incidentit me TV 21 dhe sigurimin e Gruevskit që hyri pa urdhëresë e dokument në oborrin e televizionit dhe e urdhëroi gazetarin që t’i fshijë regjistrimet nga episodi “Çobani vetë pa sigurim mes popullit”, me siguri për shkak të “jospontanitetit” të tyre, respektivisht, për shkak se nuk kanë qenë të xhiruar nga profesionistët e vërtetë korrierë, të cilët kanë për detyrë ta përcjellin në hap Çobanin dhe ta dëshmojnë dashurinë e popullit ndaj tij. Me atë dallim se për incidentin raportuan disa televizione në gjuhën Shqipe dhe internet –portalet.

Pra, edhe përmes këtyre shembujve, shohim se sa çdo ditë, në çdo kuptim, përparojmë dhe vrapojmë drejt reformave të mediave. Me hapa të mëdhenj.

E po ta dini, kolegë të dashur, posaçërisht të gjithë ju që deklaroheni si luftëtarë për liri të profesionit, e nuk e demonstroni këtë edhe në punën tuaj dhe në përmbajtjet që i prodhoni: derisa solidariteti mes gazetarëve dhe mediave është në këtë nivel, nuk ka media dhe gazetarë të lirë. Sepse jeni të ndarë.

Dhe, me këtë nuk mendoj për ndarjen mes gazetarëve dhe shërbëtorëve mediatikë të pushtetit, ata edhe ashtu nuk janë gazetarë, por propagandistë të qendrave ekonomike dhe politike në fuqi, arusha të mbrojtura, për të cilët e me të cilët as që duhet të diskutohet në kontekstin e gazetarisë dhe lirisë së mediave. Mendoja për ju, njerëz që ende punojnë në kornizat e standardeve, por bien në një nga provimet më të rëndësishme të etikës gazetare.

Nesër, kur do të luajë arusha para derës tuaj, e do të luajë sepse jeni të ndarë, kujtojeni momentin kur keni qëndruar heshtur për të gjitha brutalitetet dhe shtypjet ndaj kolegëve tuaj. Kujtoni heshtjen tuaj.